Max Travel: Destinacionet më të mira europiane për Shën Valentinin

Contacts

MAX TRAVEL

Tel:+355 44 311 505
Cel: +355 672 789 495

E-mail: max-travel@live.com
Skype: max-travel-albania

Thursday, February 13, 2014

Destinacionet më të mira europiane për Shën Valentinin

Dita e Shën Valentinit është padyshim, dita më e ëmbël e vitit. Është dita e dashurisë, ëmbëlsisë dhe përkujdesjes, ditë në të cilën çiftet dhe të dashuruarit i thonë njëri-tjetrit “Të dua”, në thuajse të gjithë botën. Europa është kontinenti më romantik për të festuar këtë ditë dashurie dhe më poshtë do t’ju rekomandojmë destinacionet më të bukura europiane ku mund të kaloni këtë ditë speciale.

Shën Valentini në Londër

Londra mund të jetë e ftohtë dhe me shi në këtë kohë, por kjo nuk do të thotë që nuk është qytet romantik! Prenotoni në një hotel me 5 yje dhe një darkë romantike, e më pas shijoni një nga muzgjet më mbresëlënës përgjatë lumit Tamiz! Mos harroni të planifikoni pak kohë për të shëtitur muzetë e artit dhe monumentet historike të qytetit. Londra do të jetë një kujtim i paharruar!

Shën Valentini në Venecia

Në Itali, Venecia sapo ka përfunduar karnavalet legjendare, dhe ka ende dy ditë për të lënë mënjanë maskat e për t’u rikthyer në qytetin tradicional të dashurisë. Ndërtuar mbi ujë e shpërndarë mbi 117 ishuj, ndarë nga 177 kanale dhe lidhur nga mbi 400 ura, e gjithë historia e Venecias lidhet ngushtë me Kupidin, i cili është gjithnjë i gatshëm të “godasë” me shigjetat e tij për të mbajtur premtime dashurie. Kini parasysh se Venecia në përgjithësi është qytet që kushton! Akomodimi, ushqimi dhe argëtimi në këtë qytet, mund t’ju “zbrazë” portofolat, por do të mbetet një kujtim i jashtëzakonshëm!

Shën Valentini në Paris

Franca është sinonim i romancave dhe dashurisë dhe kjo e bën një nga destinacionet më të vizituara nga çiftet në Shën Valentin. Parisi, qyteti i Dritave, është qyteti që zë vendin e parë në listën e të dashuruarve. Një darkë magjike në një nga tragetet e lumit Senë, është mënyra më e bukur për të kujtuar një Shën Valentin të mrekullueshëm.

Shën Valentini në Barcelonë

Shën Valentini në Spanjë është vendi ideal për këdo që dëshiron të festojë dhe qytete si Barcelona, Madridi ose Valencia garantojnë kohë të bukur dhe të ngrohtë dhe gjallëri pa fund. Mënyra më pasionante për të festuar natën e Shën Valentinit në Barcelonë është një darkë me spektakël flamengoje, ose një xhiro me balonë sipër qytetit. Nëse nuk arrini dot të vini në datën 14 shkurt, në Katalonia ka një tjetër ditë për të dashuruarit. Kjo është më datën 23 Prill, kur spanjollët nderojnë gjestin romantik të Shën Xhorxhit për të ruajtur princeshën nga dragoi. Kjo e bën gjithashtu një ditë për të dashuruarit, të paktën në Barcelonë, ku zotërinjtë zakonisht u blejnë të dashurave të tyre një libër! Nëse Barcelona është destinacioni juaj, nuk do të pendoheni në asnjë çast për zgjedhjen tuaj! Përveç të tjerave, akomodimi, ushqimi dhe zbavitja këtu nuk janë aq të kushtueshme sa në vendet e tjera europiane!

Shën Valentini në Skandinavi

Me gjithë të ftohtin e madh në dimër, qytete si Oslo ose Kopenhagën ofrojnë disa nga hotelet më romantike në Europë, përveç vendeve mahnitëse që mund të shihni dhe darkës së mrekullueshme që mund të shijoni me të dashurin apo të dashurën tuaj. Për më shumë, nëse jeni duke planifikuar një pushim romantik në vendet skandinave, mos humbisni rastin të shikoni kështjellat e bukura të Danimarkës dhe Lagunën Blu të Islandës. Këtu do të keni rastin të prisni me padurim ardhjen e ditës së re teksa përjetoni fenomenin e jashtëzakonshëm të Dritave të Veriut. Në Finlandë, Shën Valentini njihet si Ystavanpaiva, që do të thotë Dita e Miqve. Nëse zgjidhni Finlandën, mund të shkoni me të dashurin tuaj dhe/ose miqtë e ngushtë!

Kudo që të shkoni, çfarëdo të bëni në këtë ditë, mos harroni zemrat, lulet, çokollatat, një darkë romantike dhe puthjet, përqafimet dhe fjalën magjike “Të dua”!

No comments :

Post a Comment