Max Travel: 2015

Contacts

MAX TRAVEL

Tel:+355 44 311 505
Cel: +355 672 789 495

E-mail: max-travel@live.com
Skype: max-travel-albania

Wednesday, October 14, 2015

MOS POSTO BOARDING PASS NE FACEBOOK. JE NE RREZIK!

Boarding Pass është i vogël, por punën e bën të madhe. Dokumenti që të lejon të udhëtosh me avion është i një rëndësie të madhe. 

Na ndodh shpesh që kur bëhemi gati për të udhëtuar na kap dëshira për të fotografuar pasaportën bashkë me boarding pass, për tu treguar të tjerëve aventurën tonë të rradhës.

Duhet të dini që në këtë mënyre jeni tepër të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta. Kjo, për faktin se kodet e fluturimit në boarding pass përmbajnë të dhëna personale për ju. 

Me anë të kodit, piratët e internetit mund të mësojnë emrin, të dhënat e fluturimit, madje edhe planet për udhëtimet e tjera të planifikuara, 

Mark Murphy, President i TravAlliance thotë se linjat ajrore bëjnë ç'është e mundur të ruajnë të dhënat e pasagjerëve, por janë pikërisht këta të fundit që shkelin privacinë e tyre. Shpërndarja e boarding pass në median sociale është e rrezikshme. Nëse nuk i reziston dëshirës për të ndarë me miqtë planet tuaja, atëherë të paktën përpiquni të mbani jashtë fotografisë të dhënat e kodit të dokumentit. 

Sunday, October 11, 2015

Varrezat më të bukura në botë!

Varrezat janë shtëpia e fundit e çdo njeriu. Por në Buenos Aires të Argjentinës gjen "shtëpitë" e fundit më të bukura të njerëzve. Varrezat e Recoletës janë shpallur si më të bukurat në botë për tu prehur në paqe!



Ky vend mund të jetë strehë e vdekjes, e lotëve dhe zi'së por jeta çel edhe këtu, nëpërmjet këngëve të zogjve




Varrezat janë të ndërtuara me mermer. Varret janë të ndara nga rrugica që formojnë mauzoleume mjaft interesante!



Për më shumë se 200 vjet, elita e Buenos Aires ka nderuar të vdekurit me skulptura ekstravangante. Një thënie popullore në Argjentinë thotë: "Kushton më lirë të bësh një jetë luksi se sa të varrosesh në Recoleta"
 

Varrezat e Recoletës u ndërtuan në vitin 1732. Arkitektura Baroke dhe Gotike mbizotëron kudo. Shumica e varreve janë bërë me materiale të importuara nga Parisi dhe Milano në vitet 1880-1930. Dikur varrezat e Rikoletës ndodheshin në periferi të qytetit, por me kalimin e viteve, qyteti u rrit përreth Rikoletës që ndodhet në pikën më të lartë të qytetit. Në vitin 1870 kur shpërtheu kolera dhe epidemi të tjera, Rekoleta u bë një nga lagjet më të preferuara për pasanikët.


Një nga  "banoret" më të famshme është Eva Peron, ose Evita e cila vdiq në moshën 33 vjecare por akoma konsiderohet një ikonë e Argjentinës. 

Friday, October 9, 2015

MOS U PUTH NE DUBAI

Policia në Dubai ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për turistët dhe puthjet e tyre në publik. Fushata përmban informacione mbi mënyrën e rekomanduar të sjelljes në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas të dhënave të policisë, Dubai është vendi ku jetojnë njerëz nga 216 kombësi të ndryshme, dhe që vizitohet nga miliona njerëz në vit. "Duhet të dini që është e papranueshme të puthesh në publik" thotë Kolonel Mohammed Rashid.
Ai sjell ndër mend se si para pak kohësh një vendas u kap duke u puthur në publik me një shtetase Evropiane në një qendër tregëtare gjë që u shkaktoi të dyve probleme me policinë. Fushata "Mirë se vini në EBA" do të zgjasë deri në fund të vitit 2015.

Disa prej rregullave të sjelljes në Dubai tshkelja e të cilave dënohet me gjobë, burg ose deportim janë:

  1. Nuk lejohen puthjet, shtrëngimet e duarve dhe sjelljet e tjera romantike 
  2. Puthjet dhe përqafimet në koncerte ose disko mund të tolerohen, por "gjella me kripë dhe kripa me karar" thotë populli 
  3. Shtrëngimet e një natyre seksuale janë tërësisht të ndaluara
  4. Dërgimi me e-mail, mesazh apo telefon të fotove nudo është e ndaluar me ligj. 
Sigurisht që patrollimet e policisë në Dubai nuk janë aq të shpeshta, por mjafton një ankesë e një vendasi të acaruar nga sjellja juaj, dhe ju përfundoni në komisariat! 

Thursday, October 1, 2015

Hapet resorti i parë i marijuanës në SHBA

Në Dakotën e Veriut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të hapet për herë të parë një resort i përkushtuar tërësisht marijuanës dhe përdoruesve të saj. Ky "kopësht lodrash" për adhuruesit e marijuanës çel dyert në Vitin e Ri. Resorti do të lejohet të kultivojë kanabis ndërkohë që përdoruesit e marijuanës do të kenë mundësi të relaksohen në një sallon luksoz me ushqim, pije dhe marijuana. Presidenti i kompanisë që vjen nga tribuja indiane Flandreau Santee Sioux, Anthony Reider planifikon të hapë edhe një kazino në këtë resort. Vendimi për hapjen e këtij kompleksi erdhi pasi Departamenti i Drejtësisë aprovoi një rregullore të re ku lejon Amerikano-Indianët të merren me biznesin e marijuanës në vendet ku kanabis është i lejuar me ligj. Sipas pronarëve të kompleksit, resorti do të gjenerojë plot 24 milionë dollarë të ardhura në vit.

Tuesday, September 29, 2015

Mbani duart në xhep. Këto janë vendet më të pista në avion!

Një studim i National Science Foundation ka treguar që tavolina, mbi të cilën ne mbështesim ushqimet që konsumojmë gjatë udhëtimit është vendi më pak i pisët në avion. Fotografia në këtë artikull tregon nivelin më të lartë të baktereve në vendin ku hamë ushqimin, në tualet, në sedilje por edhe në shumë të tjera. Ngjyra e kuqe tregon nivelin më të lartë të baktereve. Sipas të dhënave, tryeza ku hamë ushqimin ka 10 herë më shumë baktere se butoni i shkarkimit në tualet, që gjithsesi gëlon nga bakteret. Vende të tjera në avion ku bakteret bëjnë festë janë dera e tualetit, butoni i shkarkimit të ujit për larjen e duarve, butoni i ajrit sipër sediljes. Me gjithë këto baktere, çdo pasagjer është mirë të lidhë rripat e sigurimit (që janë 9 herë më pak të pisët) dhe të mbajë duart në xhep! 

Gjobitet 600 € se ngatërroi derën e avionit me të tualetit

Një pasagjer i KLM Royal Dutch Airlines u ndalua dhe gjobit nga policia pasi u përpoq të hapte derën e avionit gjatë një fluturimi nga Edinburgu në Amsterdam. Policia tha se pasagjeri po tërhiqte me vendosmëri levën e derës ndërsa avioni ndodhej në një lartësi prej mbi 9000 metra sepse donte të futej në banjë. Pasagjeri i identifikuar si James Gray kishte ngatërruar derën e avionit me atë të tualetit. Me tu ulur avioni, policia e ndaloi pasagjerin, e gjobiti me 600 Euro dhe e mbajti një natë në rajon. Për më tepër kompania KLM e ka ndaluar pasagjerin të udhëtojë me linjën e saj për 5 vjet. 

Thursday, August 20, 2015

Çelen dyert e Versajës!


Pallati i Versajës, atraksioni turistik më popullor i Francës do të lejojë së shpejti ndërtimin e një hoteli luksoz në brendësi të tij. Kompleksi i ndërtuar nga Mbreti Louis XIV është jashtëzakonisht i vizituar nga turistët të cilët për fat të keq qëndrojnë vetëm disa orë për shkak të mungesës së akomodimit në këtë zonë. Franca tani po kërkon për biznesmenë të interesuar të transformojnë disa prej ndërtesave në Pallat në hotele luksoze. Ndërtesat në fjalë të ndërtuara në vitin 1680 janë afër portave të Pallatit. Mediat raportojnë se hoteli i ri do të quhet " Hôtel Du Grand Contrôle" me plot 23 dhoma. Hoteli do të hapë dyert në vitin 2016. Zgjerimi i Pallatit të Versajës është i vonuar sepse gjatë gjithë këtyre viteve, shumë prej rezidencave luksoze pranë Versajës kanë çelur dyert për turistët duke fituar një thes me para.

Wednesday, August 19, 2015

Avionët nuk ngrihen dot në ajër pa tavëll duhani!

Pirja e duhanit është e ndaluar në bordin e çdo avioni, por shumë pasagjerë symprehtë kanë vënë re një tavëll duhani relike të improvizuar në derën e tualetit. Ajo që njerëzit nuk e dinë është se vendosja e tavllës metalike është një detyrim ligjor për çdo linjë ajrore, për rastet kur ndonjë pasagjeri i teket të ndezë një cigare! Linjat ajrore i druhen një shpërthimi nervash dhe paniku të duhanpirësve të cilët mund të shkojnë në tualet të ndezin një cigare, por pastaj nuk dinë ku ta hedhin ose e hedhin në vendin e gabuar duke vënë rrezik jetën e qindra njerëzve të tjerë. Ndaj tavlla është e nevojshme që cigarja të fiket në një vend të sigurtë. Në vitin 2009, një avion Boeing 747 i British Airlines u ul me urgjencë pasi u njoftua që avioni nuk kishte tavllën e duhanit. Avioni u ngrit vetëm pasi punonjësit morrën një të tillë nga një avion tjetër. Në vitin 1970, një avion i linjës Rio De Janeiro-Paris bëri një ulje emergjente si pasojë e një zjarri që shpërtheu  si pasojë e një cigare duke shkaktuar vdekjen e 123 njerëzve në bord të cilët vdiqën nga asfiksimi. 11 persona shpëtuan, 10 prej të cilëve ishin anëtarë të ekuipazhit. Zjarri shpërtheu kur një pasagjer, hodhi një cigare akoma të ndezur në shkarkuesin e ujit. Ky incident përbën edhe fillesën e detyrimit ligjor për të patur një tavëll cigareje në bordin e çdo avioni.

Monday, August 17, 2015

Ushqimi që nuk duhet kurrë të hash në Romë!

Ushqimi është një pjesë shumë e rëndësishme e një udhëtimi turistik. Në "Qytetin e Përjetshëm" gjenden dy pjata të rëndësishme. Njërën duhet ta provosh patjetër, dhe tjetrën mos t'ia hedhësh sytë!

Kurrë mos porosit......

Fettuccine Alfredo është një ushqim Amerikan i importuar në Itali. Nëse e sheh në menu, është e sigurt që ke rënë në kurthin e restoranteve që u intereson të shesin diçka pa shije si diçka super të shijshme dhe tradicionale

Mos u largo nga Roma pa provuar.... 

Cacio e Pepe. Ky ushqim tradicional i Romës gjendet pothuaj në çdo menu. Përbëhet nga spagheti, djathë pecorino dhe piper të zi. Gatim i thjeshtë por super i shijshëm që do e mbani mend!


Wednesday, August 12, 2015

Çfarë ndodh me valixhet në aeroport?

Një video e publikuar së fundmi në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, një nga më të frekuentuarit në botë ngre siparin mbi udhëtimin që bën një valixhe nga check in deri në stivën e avionit. Po të shikoni videon, udhëtimi i valixhes është me të vërtetë mbresëlënës dhe bëhet nëpërmjet një platforme të sofistikuar rrëshkitëse që ndan dhe dorëzon valixhet sipas destinacionet. Sistemi i automatizuar  është si një autostrade me dalje, hyrje dhe ndryshim korsish. Videoja tre minutëshe jep përgjigje pyetjeve nëse valixhet dorëzohen dorazi apo me makinë. Aeroporti i Amsterdamit është i pesti për nga numri i pasagjerëve në Evropë duke u frekuentuar nga 55 milionë pasagjerë që udhëtojnë në mbi 300 destinacione në botë. Sistemi i transportit të bagazheve në këtë aeroport përfshin gjashtë robotë dhe është një nga shërbimet më të avancuara në botë! Fluturim të mbarë :) 



Tuesday, August 11, 2015

Arsyeja e vërtetë përse shitëset në Duty Free Shop kërkojnë boarding pass


Ndodh gjithmonë. Je në aeroport dhe futesh në Duty Free Shop. Dëshiron të blesh diçka por si fillim duhet të dorëzosh atë kartonin e vogël Boarding Pass. E keni pyetur veten përse ndodh kjo? E vërteta është që pronarët e këtyre dyqaneve fitojnë miliona në kurriz të udhëtarëve që fluturojnë jashtë BE-së duke përfituar nga rimbursimi i TVSH-së. Pra, nëse një shtetas shqiptar blen një produkt në një aeroport të huaj, shitësit me anë të Boarding Pass verifikojnë që ai ose ajo nuk do të kërkojë rimbusim TVSH-je për blerjen e kryer kështu që pronarët i fusin paratë në xhep.  Pronarët e dyqaneve Duty Free Shop nëpër aeroporte anembanë botës janë akuzuar së fundmi nga gazeta Britanike Telegraph për mashtrim të udhëtarëve dhe mungesë transparence duke përfituar prej blerjeve të tyre milliona në kompensim të TVSH-së. Në shumë vende të BE-së, këta shitës përfitojnë 20% të vlerës së produktit në rimbursim të taksës. Një tjetër e vërtetë është që udhëtarët nuk janë të detyruar të paraqesin Boarding Pass tek shitësi i dyqanit. Blerje të mbara :)