Max Travel: 10 GJËRA QË DUHET TË BËSH NË ROMË

Contacts

MAX TRAVEL

Tel:+355 44 311 505
Cel: +355 672 789 495

E-mail: max-travel@live.com
Skype: max-travel-albania

Wednesday, February 19, 2014

10 GJËRA QË DUHET TË BËSH NË ROMË

Të gjitha rrugët padyshim të çojnë në Romë. 



Roma, e njohur ndryshe edhe si “Qyteti i Perjetshëm”, është një qytet ku hijeshia e pafundme nuk mund të përshkruhet vetëm me fjalë por mbi të gjitha duhet shijuar me sy. Edhe guri më i vogël dhe me i parëndësishëm në kryeqytetin italian ka dicka për të thënë rreth historisë së lashte të Romes. Kjo sepse qyteti ka qenë qendra e një perandorie , madhështia e së cilës nuk u arrit kurrë nga të tjerat, u bë burimi i kristianizmit, dhe  vendi ku kanë kaluar dhe qëndruar personazhe që kanë bërë apo kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit.

Cfarë duhet të bëni në Romë? 

1. Vizitoni Koloseun 

Si fillim u inaugurua si Amfieteatri Flavio dhe më pas u quajt Colosseo ndoshta prej statujës së madhe të
njohur me emrin “Kolosi i Perëndisë Diell”, e vendosur pranë dhe që kishte ngjashmëri me Neronin. Romanët shkonin aty për të parë garat midis gladiatorëve dhe kafshëve të egra apo simulimet e betejave detare. Colosseo është ende një nga monumentet më të rëndësishme dhe përfaqësuese të Romës, që imponon praninë e tij madhështore në qendër të Romës.

2. Vizitoni Panteonin 

Pantheon-i është një nga monumentet më të njohura romake. Sipas një legjende, ai lind nga pika ku Romolo
në momentet e fundit të jetës, u kap me thonj nga një shqiponjë dhe u dërgua në qiell. Tempull i dedikuar të gjithë Perëndive ( Pan-të gjitha Theon-perënditë), u ndërtuar nga perandori Adriano në vitet 118-125 pas Krishtit, për të zëvendësuar tempullin e Marco Agrippa për hyjnitë e Marsit dhe Afërditës. Në vitin 609, tempulli u shndërrua në kishën romane me emrin Santa Maria ad Martyres. Në vitin 1870, u shndërrua në monumentin përkujtimor të mbretërve të Italisë. Në brendësi të tij ndodhen varret e Vittorio Emanuelle II, Umberto I dhe Margherita di Savoia, përveç atij të Raffaello Sanzio. Ajo që e karakterizon më shumë ndërtesën është kupola gjysmësferike me diametër 43.3m e barabartë me lartësinë nga dyshemeja.

3.  Vizitoni Fontana di Trevi 

Nëse ndodheni në Romë dhe mendoni të ktheheni sërish, atëherë mos u mendoni dy herë për të hedhur një
monedhe në të famshmin shatërvan të Trevi-t, për të realizuar dëshirat tuaja. I projektuar nga arkitekti Nicolo Salvi, shatërvani i Trevi-t merr ujë nga ujësjellësi Vergine që nga kohët e perandorit Augusto. Tema kryesore e shatërvanit është deti dhe këtu stili barok ndërthuret me atë klasik në një harmoni të përsosur. Shatërvani i Trevi-t  ka qenë set kinematografik, teatër manifestimesh dhe skenë shfaqjesh e festash të mëdha. Ta keni të qartë: vetëm Anita Ekberg në filmin “La dolce Vita” mundi të hyjë të bëjë banjë aty, mos provoni.

4. Vizitoni Piazza Navona 

Piazza Navona është një nga sheshet më të dashura për romanët dhe turistët, vendi ideal për të pushuar,
 duke qëndruar të ulur në tavolinat e bareve midis skulpturave dhe arkitekturave baroke. Piazza Navona lind në vendin e stadiumit antik të Domiziano-s, ja pse ka forme ovale. E kërkuar nga perandori për të zhvilluar garat e atletikës. Deri në shek. XIX, këtu organizoheshin shfaqje argëtuese dhe sportive. Gjatë muajit gusht, çdo vit sheshi përmbytej duke mbyllur të gjitha shkarkimet e shatërvanëve, për t’u ofruar pak freski qytetarëve romanë. Vepra më tërheqëse e saj është Fontana dei quattro Fiumi (Shatërvani i Katër Lumenjve), vepër e Gianlorenzo Bernini.


5. Vizitoni Musetë e Vatikanit 

Musei Vaticani të lindur nga tregtitë e papëve që prej shekujsh mblodhën vepra të jashtëzakonshme.
Muzeumet e Vatikanit konsiderohen si trashëgimitë më të bukura të muzeve të botës (13 muzeume të ndryshme nga njëri-tjetri), të pajisura me një nga koleksionet më të rralla të artit botëror. Thesarët e mëdhenj përbëhen nga vepra të antikitetit grek e roman, por edhe nga një koleksion i pasur arti egjiptian (mumiet) dhe etrusk. Galeria e arteve ruan një koleksion të çmuar me pikturat e shekujve XII-XIX, vepra të Raffaello, Caravaggio dhe Leonardo Da Vinci.


6. Vizitoni lagjen Trasvestere 

Trastevere është një nga lagjet më karakteristike të qytetit, që ruan më mirë se të gjithë karakterin roman të
kryeqytetit, me rrugicat me kalldrëm, ku ngrihen shtëpitë mesjetare me ballkonet e vogla, nga të cilat zvarriten bimët kacavjerrëse. Gjatë periudhës perandorake, në këtë lagje banonte aristokratja Patrizia, e cila ndërtoi vilat e personazheve të famshme, si Giulio Cesare. Ndërsa gjatë mesjetës, Trastevere paraqitej si një labirint rrugicash të ndotura e të braktisura. Sot është ndër vendet më të preferuara për jetën e natës romane: gjatë natës popullohet nga të rinjtë që lënë takim me njëri-tjetrin në Piazza Trilussa, për të pirë një birrë nga ato të blerat nëpër pub-et që popullojnë rrugicat e ngushta të Trastevere-s.

7. Vizitoni Kishën e San Pietros 

San Pietro me kupolën e Michelangelo-s dhe fasadën e saj monumentale. Kisha e San Pietro-s dominon
sheshin skenografik me kolona të San Pietro-s, kryevepër arkitektonike e Bernini-t. Zemra e Kishës Katolike, kjo kishë lind aty ku në vitin 324 Kostandini ndërtoi  shenjtëroren për nder të Apostolit të I dhe pikërisht në këtë vend ai u kryqëzua dhe u varros. Në vitin 1506, Papa Giulio, emëroi Donato Bramante-n të projektonte ndërtimin e asaj që do të bëhej kisha më e madhe e botës (22000 m2 sipërfaqe). Bramante, Michelangelo, Giacomo della Porta ishin disa prej arkitektëve që u ndoqën nga të tjerë në “punishten e San Pietros” gjatë më shume se 100 vjetëve që u deshën për të përfunduar këtë vepër madhështore. Artistët më të mëdhenj të Rilindjes romane dhe të barokut, kanë lënë aty kryevepra të një bukurie të jashtëzakonshme: mjafton të përmendim “Mëshirën” e Michelangelo-s , katedralen  e San Pietro-s dhe tendën madhështore të Bernini-t.



8. Shopping në Via del Corso 

 Për ata që duan modën, Roma nuk të zhgënjen aspak. Mjafton të bësh një xhiro në rrugët e qendrës, Via del Corso, Via del Babuino, ku ndodhen firmat më të famshme italiane e ndërkombëtare, pa lënë pas dore zonën e Campo di Marzio: duhet vetëm të zgjidhni. Afër Piazza di Spagna, në fakt ndodhen dyqanet e veshjeve për meshkuj e femra, dyqanet e aksesorëve dhe të këpucëve. Roma ofron zgjidhje për të gjithë xhepat. Kush do të argëtohet me ngjyra të markave e të tezgave, nuk duhet të humbasë një vizitë në të zhurmshmen Porta Portese, më e madhja e më e frekuentuara e Romës.



9. Ushqehu alla Romana 

Çfarë hahet në Romë? Makaronat, salca e domateve, salloja dhe djathi i deles e bëjnë pjatën “ bucatini
all’amatriciana” një nga pjatat hiperkalorike numër 1, por ja vlen një herë në jetë. Kjo recetë origjinale lind nga Amatrice, një qytet i krahinës së Lazio-s, ku këto makarona ishin pjata tipike e barinjve dhe malësorëve të Apeninit Qendror. Më pas u shpërnda si recetë në të gjithë Italinë. Sikurse ndodh gjithmonë në artin kulinar, edhe kjo recetë ka pësuar ndryshime, të lidhura shpesh me shijet personale, që kanë sjellë në evoluimin e kësaj recete, por pa e prekur shijen e saj. Nisuni nga bucatini, por mos humbni edhe të gjitha pjatat e tjera tradicionale romane, si spaghetti alla carbonara, që me sa thuhet, ishin racionet e ushqimit të përditshëm të aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.



10. Jeta e natës në Romë 

Pasi të keni shëtitur ndër kisha e muzeume, mos mendoni as për një moment që dita e juaj mbaron me kaq.
Natën Roma është e pandalshme po aq sa ditën dhe duke mbledhur forcat e fundit që ju kanë mbetur, mund të zhyteni në jetën e natës romane, plot me restorante, lokale e diskoteka, që nuk të lenë aspak të mërzitesh. Duke pasur parasysh sa i madh është qyteti, mund ta imagjinoni sa alternativa të shumta ofron mbrëmja. Argëtime e zbavitje për të gjithë xhepat e mbi të gjitha, për të gjitha moshat. Mos humbisni Campo de Fiori me pub-et dhe të rinjtë që kalojnë aty natën.


No comments :

Post a Comment