Si të bridhni nga Europa në Azi në 24 orë? Stambolli është
vendi ideal për të realizuar këtë sfidë! Ndonjëherë nuk nevojiten 2 ose tre ditë për të
parë atraksionet më të bukura të një qyteti dhe më poshtë do ta kuptoni përse.
Le të nisim udhëtimin tonë në Stamboll
08.00 Udhëtim me traget në Bosfor
Pasi ke pirë kafenë turke në zonën e Kabatashit je gati për
të nisur ditën. Tragetet publikë mjaftojnë për të lundruar në Bosfor duke
ngopur syrin me të mrekullueshmin Pallat të Dolmabahçesë, Kështjellën e Rumelisë
dhe bregut aziatik të Stambollit të mbushur plot me shtëpitë luksoze të pasanikëve
turq.
11.00 Dhoma e Arratisjes
Kjo është një eksperiencë që pak shqiptarë e kanë provuar. Në
zonën e Bejollu të Stambollit ndodhet një
godinë interesante. Aty gjendet Dhoma e
Arratisjes”. Pasi ngjitesh në shumë shkallë, punonjësit e godinës të fusin në këtë
dhomë dhe mbyllin të gjitha dyert. Për
një orë ose dy duhet të zgjidhësh një sërë gjëagjëzash në mënyrë që të dalësh.
Këtu të duket vetja si në labirintët e Sherlok Holmsit. Eksperienca kushton 50
Lira.
13.00 Pazari i Erëzave.
Pasi ke lodhur trurin me gjëagjëza, mund të shkosh në
Pazarin e Erëzave, pranë Urës së Galatës ku do të gjesh shijet më pikante të
Stambollit. Më pas, je fiks në kohë për drekë. Poshtë urës së famshme të Stambollit gjendet
tregu i peshkut i Karajoj. Këtu mund të porosisësh një sanduiç peshku ndërkohë
që humbet nën zërat kumbues të peshkatarëve të rreshtuar mbi urë.
15.00 SULTANAHMET
Zona e Sultanahmetit është zona e preferuar e turistëve të
mirëfulltë. Xhamia Blu, Hagia Sofia, Sarajet e TopKapisë të presin krahëhapur.
Pasi mbaron këtu drejtohu për në Bejolu dhe ndiq rrugën e diellit.
18.00 Kokteile në një vend magjik
360istanbul është absolutisht lokali më i mirë në Stamboll.
Ofron një pamje 360 gradëshe të metropolit. Lokali ndodhet në rrugën kryesore të
dyqaneve, Istikal. Nga këtu mund të shohësh
Urën e Galatës dhe deri tek Deti i Marmarasë. Kokteilet janë të shtrenjta por
hyrja është falas gjë që është shumë mirë konsideruar që ky lokal është
frekuentuar edhe nga Mbretëresha e Spanjës.
Lokali ka një “motër” barin më të ri 360east, njësoj i mrekullueshëm,
por rrugën duhet të vazhdoni me traget në Kadikoy për të ngrënë një meze
fantastike nga ato të anës Aziatike ndërkohë që dielli perëndon nëpër minaretë
e panumërta të Stambollit.
23.00 Nargile në Karakoy
Pasi ke ngrënë e ke pirë je gati për anën Europiane të
qytetit. Nardis Jazz Club është një lokal ku dëgjohet një muzikë Jazz e
mrekullueshme. Pasi ke pirë një gotë verë dhe je qetësuar nga muzika është koha
të dalësh. Në Karakoj, klubet janë plot por nëse do të përjetosh diçka
tradicionale turk provo Ali Baba Nargile, një lokal ku shërbehet Nargile për 24
orë. Zgjidh menurë speciale të
Sulltanit, pi një gotë çaj dhe lejo lodhjen të të pushtojë.
05.00 Zgjohet Sulltani
Rreth kësaj ore, mund të shijosh qytetin në një qetësi
magjepsëse. Por magjia nuk zgjat shumë
dhe ndërsa dielli lind, heshtja thyhet nga lutjet dhe zërat kumbues të
hoxhallarëve. Dhe kështu, me lutje për një jetë më të mirë, nis një ditë e re në
Stambollin e Madhërishëm
No comments :
Post a Comment